Punëkërkues

Tipet e ndryshme të intervistave të punës (pjesa 1)

Punëkërkues

Kompanitë tashmë përdorin mënyra të ndryshme intervistimi dhe shpeshherë kandidatët mund të gjenden të ç’orientuar para seleksionuesit. Më poshtë kemi listuar shembujt e disa intervistave të mundshme së bashku me këshillat si të përballohen secila nga situatat.

Intervista e parë Kjo është në përgjithësi një “intervistë njohëse” dhe objektivi i saj është një pre-seleksionimi i kandidatëve. Intervistuesi mundohet të kuptojë se çfarë tipi jeni duke bërë përgjithësisht pyetje mbi edukimin tuaj, trajnimet dhe eksperiencat. Tashmë edhe në Shqipëri, këto lloj intervistash zhvillohen kryesisht nga zyrat e rekrutimit, të cilat arrijnë të lidhin kandidatët dhe kompanitë në mënyë të shpejtë dhe efikase.

Intervista e dytë Nëse kontaktoheni përsëri pas intervistës së parë, kjo është një shenjë pozitive, por në fazat e mëtejshme duhet gjithsesi të tregoni gjithë vlerat tuaja. Duhet të keni parasysh se në këtë fazë aftësitë tuaja do të ekzaminohen imtësisht. Nëse intervista e parë është bërë pranë një zyre rekrutimi, me siguri e dyta do të zhvillohet me personelin e BNJ të kompanisë dhe në disa raste, edhe me përgjegjësin e zyrës ku do të punoni. Përgatituni për pyetje mbi pritshmëritë tuaja, mbi pagën dhe ngarkesën e punës.

Intervista e tretë Jo të gjitha kompanitë kanë nevojë për një intervistë të tretë, gjithçka varet nga pozicioni ku po aplikoni. Sa më i veçantë dhe i strukturuar të jetë profili, aq më të shumta janë dhe fazat e seleksionimit me të cilat duhet të përballeni. Zakonisht, intervista e tretë është ajo përfundimtarja dhe në të marrin pjesë fare pak kandidatë. Në këtë fazë të fundit do t’ju duhet të flisni me manaxherin dhe do të vlerësohet potenciali juaj, duke patur parasysh edhe karakteristika të tjera, edhe jo të lidhura ngushtë me atë lloj pune.

Intervista nëpërmjet telefonit Disa kompani zhvillojnë intervistat e para nëpërmjet telefonit. Në këtë rast, është shumë e rëndësishme që të gjendeni të përgatitur. Fillimisht sigurohuni të jeni në një vend të qetë ku nuk do t’ju shqetësojnë, mbani shënime lidhur me vendin e punës dhe mbani përpara CV-në tuaj. Kësaj interviste i duhet dhënë e njëjta rëndësi që i jepet një interviste të drejtpërdrejtë. Intervista telefonike mund të jetë një mundësi e mirë për të lënë një ndjesi pozitive tek intervistuesi.

Tipe të tjera intervistash Ekzistojnë dhe teknika të tjera seleksionimi, por edhe ato kanë të njëjtin objektiv: të vlerësojnë reagimet dhe përgjigjet tuaja në situata të ndryshmë, të kuptojnë mënyrën tuaj të të menduarit dhe si arrini të menaxhoni situatat e ndryshme bashkë me persona të tjerë.