
Keni kaluar të gjitha fazat: CV-ja juaj është pranuar, keni takuar punëdhënësin dhe keni kaluar edhe fazën e intervistës, keni marrë edhe telefonatën përfundimtare, tani është momenti që të negocioni për ofertën e punës dhe për pagën e saj. Ju mund të jeni të lumtur që keni fituar atë pozicion dhe doni të pranoni çdo gjë që ju ofrohet. Ekspertët nuk e këshillojnë këtë gjë, ju duhet të negocioni për ofertën më të mirë të mundshme.
- Bëni kërkime
Do të jetë shumë e vështirë të negocioni nëse ju nuk e keni informacionin e duhur. Kërkoni informacion mbi pozicionin ku do të filloni punë, mbi mundësitë që ai ofron, mbi pagën. Punët e ndryshme kanë vlera të ndryshme në treg duke u bazuar në disa kritere si: industria, vendndodhja, trendi, kështu që është e rëndësishme të kërkoni për këta faktorë dhe jo thjesht të pranoni ofertën e parë që ju ofrohet.
- Prisni deri në fund për të negociuar
Nëse rekrutuesi ju pyet juve për pagën që në fillim të bisedës, përgjigja më e mirë do të ishte se ju jeni fleksibël dhe po kërkoni për një punë afatgjatë. Më pas gjatë vazhdimit të bisedës, shfaqni aftësitë dhe pikat tuaja të forta. Përpiquni të shpjegoni se sa të vlefshme janë aftësitë tuaja dhe se si ato do të ndihmojnë organizatën. Në momentin që punëdhënësi do t’ju thotë një vlerë, mos prisni që ai t’ju thotë shumën më të lartë të mundshme. Ai gjithsesi pret që ju të negocioni mbi pagën, ndaj edhe nëse ju duket pagë e kënaqshme, mund të kërkoni ndoshta 5% rritje.
- Mendoni përtej pagës
Paga nuk është e vetmja gjë për të cilën mund të negocioni. Niveli juaj në punë, përfitimet që do të merrni ju si punonjës, pushimet etj, janë gjithashtu aspekte që mund t’i negocioni me punëdhënësin. Gjatë negociatave, fokusohuni në vlerat që do t’i sillni ju kompanisë. Atyre ju intereson të dëgjojnë sesi ju me aftësitë tuaja do e bëni punën e tyre më të lehtë.
- Mos e teproni
Duhet të keni parasysh që punëdhënësi do të jetë shefi juaj në vijim, kështu që duhet të shmangni detajet e vogla në mënyrë që të mos përfundoni në një konflikt.