Punëkërkues

Këshilla për një intervistë të suksesshme pune

Punëkërkues

1. Bëni kujdes me telefonatën e parë: intervista fillon që aty. Nëse gjendeni në një situatë ku nuk mund të flisni, më mirë ta thoni haptas dhe propozoni një moment tjetër. Do të ishte mirë të evitonit përgjigjet e shkurtra (vetëm “po” ose “jo”) ose të bërtisni mbi zhurmat e trafikut. Nëse ju lënë takim nëpërmjet email-it, mundohuni të jeni të përpiktë në përgjigje dhe mos harroni rregullat bazë të komunikimit (hapjen e mail-it, përshëndetjet, etj). 2. Përpikmëria: një fjalë e vetme me shumë kuptim. Nëse ju ndodh një e papritur – vonesat në pritjen e autobusit apo trafiku nuk janë një e papritur – nëse jeni me vonesë, duhet të lajmëroni personin që po ju pret. Kur mbërrini, kërkoni ndjesë por mos i dedikoni kësaj pjese më shumë hapësirë se ç’është e nevojshme (nëse keni patur probleme me makinën nuk është e nevojshme të tregoni për fije e për pe të gjitha telefonatat që mund të keni bërë, apo çfarë ju tha mekaniku, etj). Nëse arrini para kohe, sigurohuni që jeni në vendin e duhur dhe mund të bëni një shëtitje derisa të shkojë ora e takimit. 3. Paraqituni “pa u fshehur”: shikoni në sy personin apo personat që ju presin, jepni dorën (pa qenë nevoja ta shtrëngoni shumë apo ta varni si të pa jetë) dhe buzëqeshini personit që keni përpara. Është normale që të keni pak emocione. Nëse edhe pas prezantimeve vini re se jeni akoma shumë të emocionuar, më mirë kërkoni një gotë ujë para se të filloni intervistën. 4. Vishuni mirë dhe përgatituni për këtë rast: veshja e duhur varet nga konteksti, nga kompania dhe nga pozicioni për të cilin keni aplikuar. Në disa ambiente, është e detyrueshme që meshkujt të paraqiten me kostum dhe kravatë, por edhe për vajzat mund të ekzitojë një kod veshje. Në ambiente më kreative, vlerësohet më shumë një stil personal. Mundohuni të kuptoni gjithmonë cili është niveli i formalitetit i kompanisë ku po shkoni, dhe nëse keni dyshime mundohuni të jeni një hap më sipër. Mos lini pas dore as flokët, makiazhin, aksesorët dhe parfumet (por bëni kujdes me aromat e forta). 5. Ktheni gjithçka në pozitivitet, madje dhe kritikat: nuk lini shenjë të mirë nëse filloni të kritikoni kolegët, punëdhënësin, klientët etj. Por kjo s’do të thotë që duhet të fshehni pakënaqësinë ndaj punës aktuale ose të kaluar, thjesht tregoni për to si mundësi rritjeje. “Shefi im nuk e kupton që në zyrë po punojmë si në epokën e gurit dhe s’do që të harxhojë para për trajnime” ngjan më pak bukur sesa “Po kërkoj një ambient me më shumë stimuj dhe më të hapur drejt risive, që të më lejojë të jem i përditësuar dhe në gjendje të përmirësoj cilësinë e punës që bëj.” Edhe “Kam ca kolegë që s’i duroj dot, duket sikur çfarëdo gjëje të bëjnë ata do jetë sekrete” mund të kthehet në “Mendoj se mënyra e vetme për t’u rritur është të punosh në mënyrë transparente dhe duke i ndarë njohjet me kolegët“. 6. Kini gjithmonë gati përgjigjet për pyetjet e zakonshme: zakonisht janë ato qe kanë të bëjnë me motivimin e personelit. “Përse dëshironi të punoni këtu?” Bëj gati edhe përgjigjet për pytjet më pak të rehatshme. “Cili është aktiviteti që keni menaxhuar me më pak sukses dhe pse?” 7. Studiojeni mirë website-in e kompanisë për të kuptuar sa më mirë politikat e tyre: ato detaje mund t’ju ndihmojnë të hyni menjëherë në sintoni me kompaninë. Përdorimi i të njëjtës gjuhë apo mundësia për të folur për gjëra të përbashkëta si psh. një event në të cilin kompania ka marrë pjesë kohët e fundit, etj. Duke treguar afërsi me kompaninë, transmetoni më shumë dëshirë për t’u bërë pjesë e asaj kompanie. 8. Kujdes me kontradiktat: me shumë siguri intervista e punës nuk do të jetë vetëm një, ndoshta do të jenë të paktën dy takime, edhe me persona të ndryshëm. Brenda të njëjtës intervistë, mund t’ju bëjnë disa pyetje mbi të njëjtin argument. Duhet të jeni gjithmonë koherentë me sa keni shkruar në CV dhe të tregoni gjithmonë të njëjtin version, edhe në takime të ndryshme. 9. Nëse vendosni të gënjeni mbi njohuritë tuaja, kini parasysh se – nëse gjithçka shkon mirë – do t’ju duhet të mësoni më shpejt: intervista e parë është si një lojë rolesh. Askush nuk pret që kandidati të thotë gjithmonë dhe vetëm të vërtetën. Të tregoheni brilantë dhe të dini të ‘shisni veten’ më shumë nga ç’jeni në të vërtetë është në favorin tuaj. Por pa qenë nevoja të ekzagjeroni. Mund t’ju kërkohet një test i shkurtër, apo nëse takimi është fillimi i një bashkëpunimi profesional, mund të vini në dyshim besimin e të tjerëve ndaj jush ose të gjendeni në situata jo të këndshme. 10. Flisni për paratë, por jo gjatë dhjetë minutave të para: edhe këtu varet gjithçka nga konteksti i kompanisë, kompani të ndryshme kanë stile të ndryshme. Si rregull i përgjithshëm, kësaj pjese duhet t’i dedikohet hapësira e duhur. Nëse keni pritje të mëdha, flisni për to dhe për të gjitha pikat ku dëshironi të fokusoheni (kontrata, benefitet, planet e rritjes, etj). Por ky s’duhet të jetë argumenti kryesor i takimit apo pyetja e parë që bëni sapo t’ju jepet mundësia.