Postuar më: May 4, 2012
Kur nisni punën tuaj të parë mbas diplomimit, ka shumë gjëra të cilat ju duhet ti mësoni të cilat nuk janë në libra. Janë disa gjëra që vetëm praktika mësimore ose më saktë ekperienca e punës së parë mund t’u a mësojë. Këtu janë disa këshilla për të patur parasysh nga të gjithë ju që diplomoheni së shpejti dhe nisni karrierën tuaj.
Puna juaj e parë nuk është fati juaj
Puna juaj e parë nuk përcakton fatin tuaj të karrierës. Flisni me ndonjë punonjës i cili ka një karrierë të gjatë përpara dhe pyeteni se cila ka qënë puna e tij e parë mund të habiteni se si e ka nisur. Detyra juaj kryesore në punën tuaj të parë është të testoni veten, të mësoni si funksionon organizata apo kompania ku ju punoni, si funksionojnë punët dhe çfarë i bën njerëzit dhe organizatat të suksesshëm.
Kini kujdes qëndrimin tuaj
Një nga ankesat më të mëdha të të sapo diplomuarve të cilët nisin një punë është se ata presin shumë, në shumë pak kohë, dhe sillen sikur dinë më shumë se sa punonjësit e vjetër. Duhet të keni parasysh që mbi të gjitha duhet të fitoni vlerësimin, besimin nga kolegët dhe supervizorët, përpara se t’ju jepet më tepër përgjegjësi.
Mësoni për lloje të ndryshme influencash
Vëzhgoni se si antarët e stafit bisedojnë dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe se si bëhen detyrat e përcaktuara. Cili duket se ka më shumë pushtet? Cili ka më tepër influence? Si funksionon mënyra e vendimarrjes?
Kuptoni kulturën e kompanisë
Kushtojini rëndësi sjelljeve dhe rezultateve të vlerësuara në kompaninë tuaj. Kuptoni qëllimin e kompanisë? Zbuloni cili është misioni i saj dhe si ndryshon nga kompanitë e tjera. Cilat janë rregullat e shkruara dhe të pashkruara? Cilët lloj njerëzish duket që janë të sukseshëm dhe pse?
Njihni veten tuaj
Puna e parë është një mundësi për ju që të mësoni më shumë për veten tuaj, cfarë jeni të aftë bëni dhe cfarë jo, dhe cfarë pune vërtet pëlqeni të bëni. Kushtojini rëndësi sjelljes së të tjerëve karshi jush dhe si të tjerët ju përgjigjen. Vëzhgoni me kujdes cilët lloj njerzish ju motivojnë dhe cilët jo.
Ndërtoni aftësi
Detyra juaj është që të jepni kontributin tuaj në kompani dhe të zhvilloni aftësi të cilat mund ti merrni me vete kur të vijë koha për tu larguar. Cilat janë disa mënyra për të fituar aftësi? Dilni vullnetar për projekte të cilat mund tju duken me interes, mbajini sytë hapur për ndonjë mundësi zhvillimi profesionale, brenda dhe jashtë kompanisë.
Pyesni vazhdimisht për performancën tuaj
Edhe pse nuk është pjesë e protokollit interesohuni për performancën tuaj njëherë në 3 apo 6 muaj. Në këtë mënyrë ju matni dhe aftësitë tuaja. Interesohuni se si mund të përmirësoni performancën tuaj. Mundohuni të shënoni cdo gjë, çdo kompliment apo këshillë.