
Intervistat e punës nuk janë gjë tjetër veçse biseda mes dy apo më shumë personash ku shkëmbehet informacion për të vlerësuar nëse një punonjës është i duhuri për një pozicion të caktuar pune. Fakti që është një bisedë kjo nuk ju lejon ju që të thoni gjithçka që ju vjen në mendje. Duhet të jeni të kujdesshëm dhe të rikujtoni faktin se ju gjykoheni për gjithçka që ju thoni. Më poshtë listohen 5 gjërat që nuk duhet t’i nxirrni në pah ose të paktën mos t’i lini punëdhënësit të kuptojnë mbi to:
- Nuk duhet të shpreheni që kjo punë është e përkohshme për ju derisa të gjeni diçka tjetër që ju përshtatet më shumë.
Kjo është përgjigja më e keqe që mund të jepni, pasi punëdhënësit kërkojnë të plotësojnë një vend vakant në kompaninë e tyre dhe synojnë që aplikantin që do ta punësojnë ta mbajnë aty për një kohë të gjatë.
- Listimi i dobësive.
Shumë intervistues ju pyesin për fuqitë dhe dobësitë tuaja. Kjo pyetje bëhet për të parë sesi ju i përballoni pyetjet e vështira dhe u përgjigjeni atyre me elokuencë kur jeni nën presion. Ajo çfarë ju nuk duhet të bëni është që të listoni gjithë dobësitë që ju keni dhe që ju penalizojnë për të fituar punën. Një rekrutues thotë që arsyeja e vetme që e bën këtë pyetje është, sepse aplikantët “tepër të sinqertë” i përgjigjen kësaj pyetje me detaje dhe kështu ai bën një seleksionim më të lehtë. Ju duhet të mendoni për dobësi që vërtetë i keni, por sigurohuni të përmendni ato dobësi që nuk kanë lidhje me punën në të cilën po aplikoni dhe mundohuni të tregoni si e keni përmirësuar këtë dobësi. Kjo do tju bëjë të dukeni person reflektiv dhe më dëshirë për të mësuar dhe për tu përmirësuar.
- Fyerja e punëdhënësve të mëparshëm
Shumë nga në mund të kenë pasur të paktën njëherë shefa “të këqinj” apo negativë në marrëdhënien e tyre të punës. Shpesh mbase kjo është dhe arsyeja se pse ne e lëmë një punë dhe kërkojmë për një tjetër. Megjithatë ju nuk duhet ta permendni këtë arsye para intervistuesve. Të folurit negativisht për eksperiencën e mëparshme të punës thjesht do ju bëjë juve të dukeni si një person që vetëm ankohet. Pavarësisht situatave jo të këndshme që mund të keni pasur ju duhet të thoni që ka qenë një ekpsperiencë shumë e vlefshme për ju, por në këtë moment të jetës suaj dëshironi të merrni përsipër sfida dhe përgjegjësi të reja prandaj dhe po kërkoni për një punë të re. Rekrutuesit duan të punësojnë njerëz pozitivë, optimistë dhe jo persona negativë që ulin moralin e punës në grup.
- Shfaqja në mënyrë dëshpëruese e nevojës që keni për këtë punë.
Sigurisht që ju keni nevojë për këtë punë përderisa edhe po aplikoni për të. Mirëpo nëse e lini punëdhënësin të kuptojë që keni nevojë dëshpërimisht për këtë punë, kjo do t’ju bëjë juve të dukeni jo konfident dhe sikur ju do të pranonit gjithçka që do tju ofrohej. Ajo çfarë ju duhet të bëni është të demonstroni atë çfarë ju do i sillni të mirë kompanisë, të mendoni për nëvojat që ajo ka dhe sesi mund t’i zgjidhni ju ato.
- Mungesa e vetëbesimit.
Gjithkush nga ne bëhet nervoz në një intervistë, duke qenë se vetë situata është në thelb stresuese. Mbase ky është dhe qëllimi i tyre, duke qenë se edhe në punë do ketë situata stresuese gjithashtu. Ju do t’ju duhet të përballeni me situata ku duhet të punoni nën presion, të komunikoni në një mënyrë miqësore dhe profesionale. Pra ajo çfarë duhet t’i tregoni punëdhënësit, është se ju mund ta bëni një gjë të tillë. Mundohuni të tregoni konfidencë, bëni kujdes nga gjuha juaj e trupit, mbani kontaktin me sy si edhe buzëqeshni herë pas here. Kini parasysh që në një intervistë pune, ju duhet t’i komunikoni punëdhënësit që ju do të jeni një aset i shkëlqyer për të dhe se aftësitë tuaja do i shërbejnë kompanisë. Nëse shfaqeni si një person negativ, tejet nervoz dhe i dëshpëruar për punë, ju thjesht sa do të zvogëloni shanset tuaja për tu punësuar.