Këshillimi i karrierës

Si ta bind intervistuesin se unë jam i duhuri?

Këshillimi i karrierës

interviewPyetje: Do të shkoj për intervistë në një bankë.....pyetja e mundshme është: Pse doni të punoni? Ju lutem më ndihmoni:  Si ta bind intervistuesin se unë jam i duhuri? Faleminderit për mirëkuptimin...

Përgjigje: Së pari, është e rëndësishme të kuptojmë proçesin e intervistimit. Intervistimi më shumë se një bisedë është një takim drejt një qëllimi të caktuar. Një paraqitje dhe prezantim i mirë i vetvetes na hap rrugën drejt përmbushjes së objektivave tona. Në një pyetje specifike si: Pse dëshironi të punoni? Ndoshta do të na vinte më thjeshtë një përgjigje ku do të bazohej tek nevoja dhe dëshira për të qenë pjesë e tregut të punës. Por, në të vërtetë ajo që rekrutuesit kërkojnë, janë përgjigje të cilat bazohen në aftësitë e individit për të qenë në lartësinë e duhur për profilin e punës. Do të ishte shumë me rëndësi të vinit në dukje aftësitë tuaja bazuar në një përvojë të mëparshme profesionale, ose nëse kjo mungon, bazohuni në një shembull të përvojave tuaja vullnetare apo stazheve gjatë universitetit. Ju duhet të tregoni se puna është një mjet identifikimi social, është një shërbim për komunitetin dhe vetveten, por mbi të gjitha një shërbim drejt kompanisë për të cilën jeni të interesuar të punoni. Prandaj, ju duhet të merrni informacion të mjaftueshëm për bankën tek e cila keni aplikuar, të njiheni në mënyrë indirekte me filozofinë e saj, e të tregoni interes se pse do të dëshironit të punonit konkretisht në këtë bankë e jo në një tjetër. Gjatë intervistës bëjini të ditur intervistuesit se ju zotëroni aftësitë e duhura për profilin e punës për të cilin keni aplikuar dhe jeni mjaft i besueshëm për kompaninë që të investojë në terma afatgjatë për ju.

Suksese! duapune.com