Punëkërkues

Sfidat e tregut të punës, mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës

Punëkërkues

Eljana Mete, eksperte e tregut të punës dhe bashkëthemeluese e duapune.com, tregoi për Albanian Center for Quality Journalism betejën me të cilën përballen punëkërkuesit, dhë konkurrencën që paraqitet në tregun e punës në Shqipëri.

“Ne kemi çdo ditë 40-50 pozicione të reja, atëherë po të shumëzohet kjo me gati nga 50-100 aplikime për secilin pozicion, sepse varet disa pozicione është më e vështirë për të aplikuar, ju e imagjinoni dhe e shikoni vet se sa i madh dhe sa e rëndësishme është kërkesa e punëkërkuesve për të gjetur punë”.

Ndërsa ka rreth 11,075 kompani të regjistruara pranë kësaj platforme, që ofrojnë afërsisht 82,975 vende pune, numri i punëkërkuesve është thuajse dy fish më i lartë në krahasim me hapësirat e punësimit që ofrohen në Shqipëri. Kjo mospërputhje nxjerr në pah çekuilibrin midis punëkërkuesve dhe mundësive të disponueshme në tregun e punësimit në vend.

“Vëmë re se çfarë janë punë të kualifikuara e kanë pak më të lehtë për të qenë të orientuar. Ndërsa për punët që janë më të ulëta ose më pak të kualifikuara e kam pak më të vështirë për tu orientuar ose për të aplikuar”.

Punët që kërkohen më së shumti nga qytetarët janë punët e kualifikuara, ku mbizotërojnë kërkesat në sektorin e financës, inxhinierisë, artit dhe televizionit, por ndryshe paraqiten kërkesat e punëdhënësve.

“Nëse flasim sot për resortet apo turizmin në tërësi, është një dhimbje e madhe koke kur flasim për mungesën e fuqisë punëtore sidomos për kamarier, banakier apo sanitar, recepsion dhe këto janë pozicione që këtë vit janë kërkuar më së shumti. Ndryshime ka tani tregu imobilar, ndryshime shumë ka sektori i ndërtimit, sektori i turizmit. Për të folur edhe për “boom-in” që ka patur edhe turizmi këtë vit dhe nevoja e pozicioneve të punës që duhej plotësuar nëpër resorte apo kudo në Shqipëri”.

Përsa i përket grupmoshës së punëkërkuesve, peshën më të lartë të tyre të regjistruar në këtë platformë e zënë grupmosha 35-44 vjeç, pasuar nga grupmosha 25-34 vjeç.

Në platformën “Dua Punë” paraqitet grafiku i punëkërkuesve të regjistruar në këtë sistem përgjatë dekadës së fundit, konkretisht nga viti 2015 deri në vitin 2023.  Nga të dhënat e indeksit vihet re se numri i tyre ka pësuar rritje nga viti në vit, ku aktualisht rezultojnë 146,856 qytetarë të regjistruar si punëkërkues.

Video dhe artikulli i plotë:

fgfhfg.png